Qeveria propozon ligjin e ri: Mbrojtje për punonjësit që denoncojnë korrupsionin
Qeveria ka depozituar një projektligj të ri që forcon mbrojtjen e punonjësve që raportojnë shkelje ligjore dhe raste korrupsioni në sektorin publik dhe privat.
Ligj i ri për sinjalizuesit, fokus te tenderat dhe fondet e BE-së
Pas nëntë vitesh nga miratimi i ligjit të parë për sinjalizuesit, qeveria propozon një kuadër të ri ligjor që synon të forcojë denoncimin e shkeljeve dhe të garantojë mbrojtje të plotë për punonjësit që i raportojnë ato. Projektligji parashikon mbrojtje të gjerë për personat që sinjalizojnë korrupsion apo shkelje ligjore në institucionet publike dhe në subjektet private, me theks të veçantë te prokurimi publik dhe administrimi i fondeve të Bashkimit Evropian.
Detyrime për institucionet dhe kompanitë mbi 50 punonjës
Institucionet publike dhe bizneset me mbi 50 punonjës duhet të ngritin struktura të brendshme për raportimin, shqyrtimin dhe administrimin e sinjalizimeve. Këto njësi do të funksionojnë si kanale të unifikuara brenda organizatave, ndërsa sinjalizimi mund të bëhet edhe në autoritetet kompetente. Qëllimi është krijimi i një sistemi funksional që nxit raportimin dhe mbron personat që denoncojnë.
Mbrojtje e plotë ndaj hakmarrjes
Projektligji ndalon rreptësisht çdo formë retaliacioni ndaj sinjalizuesve, përfshirë largimin nga puna, pezullimin, transferimin e detyruar, uljen e pagës, privimin nga promovimi, presionet administrative apo psikologjike dhe çdo akt diskriminues. Mbrojtja synon të garantojë që punonjësit të raportojnë pa frikë shkelje të natyrave të ndryshme.
Prokurimet publike, fushë me rrezik të lartë
Sektori i tenderave dhe kontratave publike cilësohet me rrezik të lartë abuzimesh. Projektligji u jep punonjësve të prokurimit dhe çdo personi tjetër që bie në dijeni të parregullsive të drejtën të raportojnë manipulime të procedurave, favorizim operatorësh, konflikte interesi, shkelje financiare dhe çdo praktikë që dëmton konkurrencën. Institucionet që nuk krijojnë njësi të brendshme sinjalizimi ose pengojnë raportimin do të përballen me masa ndëshkuese.
Konfidencialitet absolut dhe gjoba të larta
Ruajtja e identitetit të sinjalizuesit është një tjetër shtyllë e projektligjit. Ndalohet publikimi i çdo të dhëne që mund të identifikojë personin që denoncon, dhe shkelja e këtij detyrimi sjell gjoba nga 100 mijë deri në 500 mijë lekë. Po të njëjtat sanksione aplikohen edhe për raste hakmarrjeje, pengim të sinjalizimit, apo raportim të qëllimshëm të rremë.
Përputhje me standardet e BE-së
Nisma synon harmonizimin me standardet europiane për sinjalizimin, duke rritur transparencën dhe luftën kundër korrupsionit si në administratë, ashtu edhe në biznes. Me miratimin e projektligjit, do të shfuqizohet ligji i vitit 2016 për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve.